Volvo Trucks ka testuar kamionët e tij elektrikë në mot jashtëzakonisht të ftohtë pranë Rrethit Arktik. Rezultati? Një veçori për të ruajtur performancën e baterisë, edhe kur temperatura është shumë nën zero.

“Ne kemi klientë në të gjithë botën dhe kamionët tanë duhet të performojnë kudo, kështu që testimi i klimës së ashpër është thelbësor, natyrisht duke përfshirë gamën tonë elektrike,” thotë Jessica Sandström, SVP Menaxhimi i Produkteve në Volvo Trucks.

Çfarë ndodh me një kamion me bateri kur termometri tregon -25°C dhe fryn erërat e forta? Për ta zbuluar, Volvo Trucks ka kryer teste dimërore në pjesën e largët veriore të Suedisë.

“Kur testojmë kamionët tanë në terren, afër Rrethit Arktik në Suedinë veriore, ne vlerësojmë të gjithë elementët e paparashikueshëm të natyrës,” vazhdon Jessica Sandström. “Era krijon akull në kamion, gjë që na jep mundësi të mëdha për t’u siguruar që çdo gjë të funksionojë siç duhet në rrethana ekstreme. Testet tona kanë treguar se funksionon shumë mirë të operojmë kamionët tanë elektrikë në këto mjedise vërtet të ftohta.”

Një rezultat i prekshëm i testimit të dimrit është një veçori e re e quajtur Ready to Run. Kjo veçori e përgatit kamionin për ditën e punës, kur nevojitet me ngrohje paraprake, ose nëse punon në mot shumë të ngrohtë, duke ftohur bateritë dhe kabinën e kamionit. Temperatura optimale për bateritë është rreth +25° dhe drejtuesi mund të nisë lehtësisht ngrohjen ose ftohjen paraprake, në distancë nëpërmjet një aplikacioni.

Kamionët elektrikë janë një pjesë e rëndësishme e zgjidhjes për reduktimin e emetimeve të CO2, por deri më tani ata përfaqësojnë vetëm një përqindje modeste të tregut total të kamionëve. Vetëm disa qindra kamionë të rëndë tërësisht elektrikë u janë dorëzuar transportuesve në Evropë këtë vit.

“Ne jemi duke nxitur ndryshimin dhe kemi një pozicion lider në tregun evropian për kamionët elektrikë. Ne tashmë sot kemi kamionë elektrikë në prodhim serik dhe po ua dorëzojmë klientëve në të gjithë Evropën dhe Amerikën e Veriut. Qëllimi ynë është që 50% e shitjeve totale të kamionëve tanë të jenë elektrike deri në vitin 2030,” përfundon Jessica Sandström.

Funksioni i plotë Ready to Run do të jetë i disponueshëm në Volvo FH, FM dhe FMX Electric që përdoren për transport rajonal dhe ndërtim të lehtë.

Fakte rreth kamionëve elektrikë të Volvo:

  • Volvo Trucks ka një gamë prej gjashtë kamionësh tërësisht elektrikë të projektuar për të mbuluar një shumëllojshmëri të gjerë detyrash të ndryshme transporti.
  • Volvo FH, FM dhe FMX Electric janë kamionë të rëndë me një peshë të kombinuar bruto prej 44 tonësh. Shitjet po vazhdojnë në Evropë dhe prodhimi do të nisë në gjysmën e dytë të 2022.
  • Prodhimi serik në Evropë i Volvo FL dhe FE Electric, për shpërndarjen në qytet dhe trajtimin e mbeturinave, filloi në vitin 2019.
  • Prodhimi i Volvo VNR Electric për Amerikën e Veriut filloi në 2020.